Të supozojmë që keni ndonjë paaftësi dhe jeni duke aplikuar për ndonjë punë apo jeni të punësuar në ndonjë kompani apo institucion publik. Institucioni ku punoni është i obliguar me ligj të ofroj akomodim të nevojshëm që do t’iu mundësojë të punoni apo të gradoheni pavarësisht nga paaftësia që keni. Kjo drejtë është e theksuar në nenin 19 të Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi. Ligji obligon punëdhënësit të ndërmarrin masat e nevojshme në rrethana të veçanta për të mundësuar që një person me paaftësi të ketë qasje, të merr pjesë apo të gradohet në punë apo përmes trajnimit përpos në ato raste kur kjo paraqet një barrë të jashtëzakonshme për punëdhënësin. Kjo do të thotë që nëse keni ndonjë paaftësi që iu parandalon të punësoheni apo gradoheni, ju keni të drejtën të parashtroni ankesë nëse punëdhënësi nuk përpiqet të bëjë ndryshime në punë për t’iu mundësuar të punoni. Megjithatë, për të arsyetuar ankesën, këto ndryshime duhet të jenë të arsyeshme dhe të përballueshme për punëdhënësin. Sipas ligjit, masat që duhen ndërmarr për të akomoduar një person me paaftësi nuk duhet të jenë “barrë disproporcioanale për punëdhënësin”. Me fjalë tjera, kompania për shembull nuk mund të bëjë një investim që do të ketë ndikim serioz në operacionet afariste për të akomoduar një person me paaftësi në një vend pune.