Të supozojmë që janë duke iu ngacmuar në zyrë apo shkollë mbikëqyrësi apo bashkëmoshatarët të cilët me veprime apo fjalë iu bëjnë të ndiheni keq. Duhet ditur që Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi ofron mbrojtje ligjore nga sjelljet e tilla. Ngacmimi është përkufizuar në Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi si “sjellje e padëshiruar që ka për qëllim shkeljen e dinjitetit të një personi dhe krijimin e një mjedisi kërcënues, armiqësorë, degradues apo ofendues”. Në anën tjetër, Ligji për barazi gjinore gjithashtu përkufizon ngacmimin seksual si formë specifike e ngacmimit që është i bazuar në dallim seksual. Të dy këto ligje iu mundësojnë të parashtroni padi në gjykatë kompetente apo tek Institucioni i Avokatit të Popullit. Në rast të ngacmimit, ligji parasheh gjobën në shumë prej 450 deri 750 EUR për shkelësin. Ligji gjithashtu parasheh ndëshkime shtesë në rast se institucioni (p.sh. punëdhënësi) nuk merr parasysh urdhrin e gjykatës për parandalim të ngacmimit.